Shqipëria dhe Mali i Zi kanë borxhin më të lartë në rajon, Kosova më të ulëtin
Shqipëria dhe Mali i Zi kryesojnë rajonin për nivelin e borxhit publik ndaj PBB-së në vitin 2025, sipas Komisionit Europian.

Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se Mali i Zi dhe Shqipëria kishin raportin më të lartë të borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në Ballkanin Perëndimor gjatë vitit 2025, ndërsa Kosova vijon të mbetet ekonomia me nivelin më të ulët të borxhit në rajon.
Borxhi publik në vendet e Ballkanit Perëndimor ka ndjekur përgjithësisht një prirje rënëse pas niveleve të larta të regjistruara në fillim të dekadës. Megjithatë, ritmi i uljes nuk ka qenë i njëjtë në të gjitha ekonomitë. Shqipëria, Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë reduktuar raportin e borxhit ndaj PBB-së, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina kanë shfaqur një rikthim të tendencës në rritje.
Mali i Zi dhe Shqipëria kryesojnë për nivelin e borxhit
Sipas Komisionit Europian, Mali i Zi kishte në vitin 2025 raportin më të lartë të borxhit publik në rajon, me 63.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shqipëria renditej e dyta me 52.9%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 51.6%, Serbia me 44.4%, Bosnjë dhe Hercegovina me 27% dhe Kosova me vetëm 16.5% të PBB-së.
Shqipëria uli ndjeshëm borxhin në katër vitet e fundit
Megjithëse mbetet ndër vendet me nivelin më të lartë të borxhit në rajon, Shqipëria ka regjistruar një nga uljet më të forta gjatë periudhës 2021–2025. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së zbriti nga 74.1% në vitin 2021 në 64.1% në vitin 2022, në 57.6% në vitin 2023, në 54.2% në vitin 2024 dhe në 52.9% gjatë vitit 2025.
Komisioni Europian parashikon që kjo prirje të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, me borxhin që pritet të bjerë në 52.3% të PBB-së në vitin 2026 dhe në 50.3% në vitin 2027.
Në tremujorin e parë të vitit 2026, raporti i borxhit publik në Shqipëri kishte zbritur në 48.8% të PBB-së, mbi 5 pikë përqindjeje më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas Komisionit Europian, kjo lidhet si me uljen e stokut nominal të borxhit, ashtu edhe me rritjen e PBB-së nominale dhe përditësimin e vlerësimeve nga Ministria e Financave.
Mali i Zi pritet të rikthehet në rritje
Mali i Zi vazhdon të mbajë barrën më të lartë të borxhit publik në Ballkanin Perëndimor. Pas një rënieje nga 84% e PBB-së në vitin 2021 në 59.3% në vitin 2023, raporti u rrit sërish në 61.3% në vitin 2024 dhe në 63.5% në vitin 2025.
Komisioni Europian parashikon që borxhi të arrijë në 69.4% të PBB-së gjatë vitit 2026, përpara se të ulet në 64.3% në vitin 2027. Megjithëse në tremujorin e parë të vitit 2026 raporti zbriti përkohësisht në 59%, rritja e shpenzimeve publike dhe nevojat për financim pritet ta rrisin sërish gjatë pjesës tjetër të vitit.
Maqedonia e Veriut dhe Serbia me ecuri të ndryshme
Në Maqedoninë e Veriut, borxhi publik ka luhatur gjatë viteve të fundit. Pas rënies në 49.5% të PBB-së në vitin 2023, ai u rrit në 53% në vitin 2024 dhe zbriti lehtë në 51.6% në vitin 2025. Komisioni pret që raporti të arrijë në 52.5% në vitin 2026 dhe në 53.3% në vitin 2027.
Ndryshe paraqitet situata në Serbi, ku borxhi publik ka ndjekur një trajektore të qëndrueshme rënëse. Nga 53.9% e PBB-së në vitin 2021, ai zbriti në 44.4% në vitin 2025. Për vitin 2026 parashikohet një rritje e lehtë në 45.8%, ndërsa në vitin 2027 raporti pritet të ulet sërish në 45%.
Bosnjë dhe Hercegovina rikthehet në rritje
Bosnjë dhe Hercegovina vijon të ketë një nga nivelet më të ulëta të borxhit publik në rajon, megjithëse tendenca është kthyer në rritje. Pas zbritjes në 26.1% të PBB-së në vitin 2024, raporti u rrit në 27% gjatë vitit 2025.
Komisioni Europian parashikon që borxhi të arrijë në 27.5% të PBB-së në vitin 2026 dhe në 28.3% në vitin 2027. Në tremujorin e parë të vitit 2026, raporti ishte 27.5%, i ndikuar nga rritja e borxhit afatshkurtër në monedhën vendase dhe zgjerimi i stokut nominal të borxhit me 11.6% krahasuar me një vit më parë.
Kosova ruan borxhin më të ulët në rajon
Kosova mbetet vendi me nivelin më të ulët të borxhit publik në Ballkanin Perëndimor. Raporti i borxhit ndaj PBB-së zbriti nga 21.5% në vitin 2021 në 20% në vitin 2022, në 17.5% në vitin 2023, në 16.8% në vitin 2024 dhe në 16.5% gjatë vitit 2025.
Në tremujorin e parë të vitit 2026, borxhi publik i Kosovës ishte ulur më tej në 15.6% të PBB-së. Komisioni Europian nuk ka publikuar parashikime për nivelin e borxhit të Kosovës për vitet 2026 dhe 2027.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)